cacttus logo

Shtëpia e teknologjisë Cacttus sh.a. dhe shkolla profesionale Cacttus Education, dje patën rastin të presin në vizitë 10 përfaqësues të bizneseve start-up nga Shqipëria. Të rinjtë të cilët vetëm sa kanë hyrë në fushën e biznesit të teknologjisë, u takuan me stafin e Cacttus ku patën mundësi të mësojnë më shumë për funksionimin e një korporate, menaxhimin e brendshëm, menaxhimin e projekteve dhe krijimin e qëndrueshmërisë në treg në fushën e teknologjisë informative. Këta të rinj shfrytëzuan rastin të bëjnë pyetje të cilat do ju ndihmonin në zhvillimin e mëtutjeshëm të bizneseve të tyre të reja në treg, në krijimin e profitit, krijimin e bashkëpunëtorëve vendor dhe ndërkombëtar dhe në krijimin e një ambienti të këndshëm të punës.

Ndërkaq, gjatë vizitës në shkollën Cacttus Education patën rastin të njihen me programet e shkollës, ambientin, studentët dhe të diskutojnë për mësimin e kombinuar me praktikë. Kjo e fundit ishte ndër pikat që intrigoj më së shumti diskutimin mbi mësimin përmes praktikës i cili si në Kosovë edhe në Shqipëri ka munguar deri në vitet e fundit. Shkolla të tilla profesionale, si Cacttus Education ju mundësojnë të rinjve të mësojnë dhe praktikojnë profesionin që ata duan ta kenë, në mënyrë që të jenë të gatshëm të plotësojnë mungesat në vendet e punës në fushën e teknologjisë.

Vizita e përfaqësuesve të bizneseve start-up nga Shqipëria u bë në bashkëpunim me Innovation Center of Kosovo (ICK) përmes programit “Regional Innovation” te financuar nga Amabasada Norvegjeze. Ky program implementohet edhe në Innovation Hub Tirana, me qëllim të shkëmbimit të eksperiencave ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë dhe të mbështetjes për biznese start-up në fushën e teknologjisë informative.