cacttus logo

Krijimi i Databazës së Unifikuar Nacionale për të Mbijetuarat e Dhunës Familjare ka për qëllim unifikimin e rasteve të dhunës në familje, dhe rritjen e efikasitetit të menaxhimit të raportimit të rasteve të dhunës në familje anembanë Kosovës. Kjo databazë është pjesë e kritereve që kanë dalë nga MSA-ja e Bashkimit Evropian dhe konventa e Stambollit që iu garanton të drejta dhe mbrojtje viktimave të dhunës në familje. Cacttus është nënkontraktues i këtij projekti, që është duke u implementuar nga organizata mediale KosovaLive. Ky projekt financohet nga Bashkimi Evropian, nën menaxhimin e UN Women.

Menaxheri i këtij projekti, Ridvan Bunjaku nga Cacttus e ka vlerësuar shumë këtë pilotprojekt, pasi që sipas tij, kjo databazë lehtëson më shumë punët e gjitha institucioneve që janë të përfshira në parandalimin e dhunës në familje. Poashtu u theksua rëndësia e prezantimit dhe raportimit të të dhënave në kohë reale.

“Nëse një rast raportohet në prokurori, ai menjëherë do të regjistrohet në databazë dhe nuk do të ketë duplifikim apo diskrepancë në mes të të dhënave. Dështimi i databazave nuk është problem i sistemit, por menaxhimi i të dhënave dhe te përdoruesit e atyre të dhënave”.

Si përfitues të trajnimit të Databazës së Unifikuar Nacionale u përzgjodh qyteti i Gjakovës, ku përfaqësuesit e instucioneve përgjegjëse për menaxhimit dhe raportimin e rasteve do të trajnohen mbi menyren e futjes se të dhënave për rastet e dhunës në familje. Trajnimi pilotues i Databazës së Unifikuar Nacionale për të Mbijetuarat e Dhunës Familjare u mbajt me 8 nëntor 2018, në Cacttus Education, në Prishtinë, me përfaqësues të policisë, gjykatës, strehimores, dhe qendrës për punë sociale.

Për të mësuar më tepër për procesin e krijimit të databazës mbi të mbijetuarat e dhunës familjare, ju lusim t’i referoheni artikullit në vijim: Kosovalive360.com